Gjykimi i blerjes me këste me çmim më të lartë
Esselamu alejkum hoxhë. Shpresoj të jesh mirë. Desha të pyes diçka. Dua të blej një telefon me këste për 24 muaj. Çmimi me para në dorë (cash) është rreth 1400€, ndërsa me këste del rreth 2136€. Çmimi total dihet që në fillim dhe kësti është fiks çdo muaj. A lejohet kjo në Islam apo hyn në kamatë?
Ue alejkumus selam ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Që kjo blerje me këste të jetë e lejuar, duhet parë që në këtë marrëveshje të mos ketë dy probleme:
1. Të mos jetë banka ndërmjetësuese (kontratë trepalëshe).
Në qoftë se kjo blerje bëhet përmes bankës tregtare — pra, me një kontratë trepalëshe mes bankës, biznesit (dyqanit) dhe klientit që blen celularin — atëherë nuk lejohet. Pse? Sepse në këtë rast, çmimin e celularit prej 1400 eurosh banka ia paguan drejtpërdrejt dyqanit, ndërsa klienti detyrohet t'ia shlyejë këtë hua bankës me këste, por me shtesë (gjithsej 2136 euro). Pra, në realitet, kjo i bie sikur banka t'i ketë dhënë klientit 1400 euro hua dhe të marrë prej tij 2136 euro. Kjo është kamatë e pastër, prandaj, në ktë rast, kjo blerje nuk lejohet.
2. Të mos kushtëzohet rritja e çmimit në rast vonese.
Nëse nuk ndërmjetëson banka, por është vetë biznesi (dyqani) që e shet celularin me pritje (me këste, drejtpërdrejt me klientin), atëherë në parim lejohet. Mirëpo, këtu duhet parë një çështje tjetër: në kontratë nuk duhet të ketë kusht që, nëse vonohet pagesa e kësteve apo mbaron afati i shlyerjes (prej 24 muajsh) pa u paguar në kohë, klienti të detyrohet të paguajë shtesë. Për shembull, nga 2136 euro që ishte, çmimi të shkojë në 2400 ose 2500 euro për shkak të vonesës. Në rast se kontrata e përmban këtë kusht — që rriten këstet ose çmimi total nëse vonohet pagesa — atëherë nuk lejohet, sepse edhe kjo është kamatë.
Përmbledhtazi, nëse kontrata nuk i ka këto dy probleme, atëherë kjo blerje me këste është e lejuar.