Politika e privatësisë u përditësua. IslamiShqip tani ofron analitikë të brendshme opsionale, që aktivizohet vetëm nëse e pranoni. Reklama dhe gjurmim nëpër faqe të tjera nuk ka dhe nuk do të ketë. Shihni çfarë ndryshoi.

Pyetje & Përgjigje

Një përgjigje për ata që duan të falen, por nuk gjejnë forcë.

Shtator 2026 · 4 min lexim

Përshëndetje! Para pak kohësh kam pranuar Islamin, elhamdulilah, por në fakt akoma nuk kam filluar të falem 5 herë në ditë. Kam shumë dëshirë të falem, por ende nuk kam gjetur forcën ta bëj këtë rregullisht. Çfarë më këshilloni?

Përgjigje e përmbledhur

Namazi ka rëndësi të madhe në fenë islame. Ai është shtylla e fesë, pa të cilën ajo lëkundet. Pozita e namazit vjen menjëherë pas dy dëshmive (shehadetit), si provë e saktësisë së besimit. Namazi gëzon një status të veçantë mes të gjithë adhurimeve të tjera, për shkak të rrethanave madhështore në të cilat u bë obligim.[1] Nëpërmjet namazit, Allahu i shlyen mëkatet dhe gabimet. Namazi është takimi ynë me Allahun në këtë botë dhe vepra e parë për të cilën robi do të japë llogari në Ditën e Gjykimit.

[1] Namazi është obliguar natën e Mi'raxhit ndërkohë që Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ishte në qiell.

Përgjigje e shtjelluar

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Lavdërimi, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Vëlla i nderuar, fillimisht të përgëzoj për këtë mirësi të madhe me të cilën të ka begatuar Allahu. Vërtet, udhëzimi në Islam është dhurata më e çmuar që Zoti mund t'i bëjë njeriut, dhe jo të gjithë janë të përzgjedhur për ta jetuar këtë mirësi.

Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), duke ia përshkruar strukturën e fesë shokut të tij, Muadh bin Xhebelit, i tha: "Kreu i çështjes është Islami, ndërsa shtylla e tij është namazi."[1] Me këto fjalë, Profeti na tregon se namazi është për fenë ashtu siç është shtylla qendrore për çadrën; pa këtë shtyllë, çadra nuk mund të qëndrojë e ngritur.

Namazi është treguesi më i qartë i sinqeritetit në pendim (teube)[2] dhe i saktësisë së besimit. Fakti që ti ke dëshirë të falesh tregon se besimi është në zemrën tënde, dhe tani mbetet vetëm ta ujitësh këtë besim me veprën e namazit. Ne shpresojmë që namazi pas pendimit të jetë tregues që Allahu e ka pranuar teuben tënde.

Allahu i Lartësuar ka përcaktuar një shpërblim të madh për faljen e namazit. Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e ka krahasuar namazin me një lumë që rrjedh, i cili pastron çdo papastërti, duke na treguar se nëpërmjet namazit Allahu i fshin mëkatet. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Më thoni, nëse para derës së ndonjërit prej jush do të rridhte një lumë, në të cilin ai do të lahej pesë herë në ditë, a do t'i mbetej ndonjë papastërti në trup?" Të pranishmit thanë: "Jo, nuk do t'i mbetej asgjë." Atëherë Profeti tha: "Ky është shembulli i pesë namazeve; me to Allahu i fshin mëkatet."[3]

Namazi është gjëja e parë për të cilën do të pyetemi në botën e përtejme. Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) të thotë: “Vepra e parë për të cilën do të japë llogari robi në Ditën e Kiametit është namazi i tij. Nëse namazi është i rregullt, ai ka shpëtuar dhe ka fituar; por nëse namazi është i prishur, ai ka dështuar dhe ka humbur. Nëse i mungon diçka nga farzet (obligimet), Zoti i Madhërishëm u thotë (melekëve): ‘Shikoni a ka robi im ndonjë namaz vullnetar (nafile)?’, që nëpërmjet saj të plotësohet ajo që mungon nga farzi. Më pas, e gjithë llogaria e veprave të tjera do të bëhet në këtë mënyrë.”[4]

Të gjitha këto argumente tregojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të namazit në Islam. Ai është çelësi i çdo mirësie. Namazi i dhuron zemrës prehje e lumturi, shpirtit i fal gëzim e qetësi, ndërsa trupit i jep gjallëri. Për këtë arsye, Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thoshte: "Prehja e shpirtit tim është vendosur në namaz."[5]

Njeriu nuk mbetet përherë në të njëjtën gjendje: nëse një çast është i kthjellët, në tjetrin turbullohet; nëse gëzohet nga diçka, diçka tjetër vjen e ia prish atë gëzim. Në këtë botë të trazuar, namazi është kontakti yt i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë me Zotin. Aty gjen falje për gabimet, qetësi nga lodhja dhe përgjigje për lutjet e tua.

Namazi është amaneti dhe porosia e fundit që Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na la në prag të vdekjes.[6]

Së fundi, të këshilloj ta fillosh namazin, duke i kërkuar ndihmë Allahut dhe duke shpresuar te mëshira e Tij. Lus Zotin ta lehtësojë faljen e namazit për ty, ashtu siç të ka mundësuar pranimin e Islamit!

[1] Transmeton Tirmidhiu (nr. 2616); shih saktësimin e Albanit në "Sahih Et-Tirmidhi" (nr. 2110).

[2] Teubeja (pendimi) është kthimi nga gjendja e mosbindjes ndaj Zotit në një gjendje bindjeje dhe nënshtrimi.

[3] Transmetojnë: Buhariu (nr. 528) dhe Muslimi (nr. 667).

[4] Transmetojnë Nesaiu (nr. 465) dhe Tirmidhiu (nr. 413). Albani e ka saktësuar në "Sahih el-Xhami" (nr. 2573).

[5] Transmetoi Nesaiu (nr. 399). Albani e ka saktësuar në Sahih En-Nesai (nr. 3681).

[6] Shih Sunen Ebu Daud (nr. 5156), saktësoi Albani në Sahih Ebu Daud (nr. 5156).