Politika e privatësisë u përditësua. IslamiShqip tani ofron analitikë të brendshme opsionale, që aktivizohet vetëm nëse e pranoni. Reklama dhe gjurmim nëpër faqe të tjera nuk ka dhe nuk do të ketë. Shihni çfarë ndryshoi.

Artikuj

Qëndrimi i Islamit ndaj paqes dhe kodi etik i luftës

Nëntor 2026 · 7 min lexim

E para: Islami e ndryshoi konceptin e luftës, qëllimin dhe metodën e saj

Në kohën e Padijes (para Islamit), fjala “luftë” kishte kuptimin “vrasje, shkatërrim, djegie, rrënim, grabitje, shkelje e nderit, korrupsion (degjenerim), prishje e të mbjellave dhe dëmtim i bagëtive pa mëshirë, vetëm e vetëm për të plotësuar epshet dhe për të sunduar mbi të tjerët pa të drejtë”. Por, kur erdhi Islami, ky kuptim ndryshoi krejtësisht. Lufta u bë rruga për të ndihmuar ata që u ishte bërë padrejtësi dhe për të bërë zap mizorët. Lufta u bë mjet për sigurimin e qetësisë dhe të paqes. Ajo u bë faktor për vendosjen e drejtësisë e shpëtimin e të pafuqishmëve nga kthetrat e të fortëve, për t’i larguar njerëzit nga adhurimi e nënshtrimi ndaj njerëzve të tjerë e për t’i çuar tek adhurimi i Allahut, për t’i larguar njerëzit nga padrejtësia e regjimeve të këqija te drejtësia e Islamit.

Arabët nuk e kishin zakon të nënshtroheshin, sado që të zgjaste lufta dhe sado shtrenjtë që të kushtonte ajo. Prandaj, Lufta e Besusit (në periudhën e Padijes) midis fiseve Bekr dhe Teglib ka vazhduar 40 vjet; të vrarët e saj qenë 70.000 luftëtarë; megjithatë, asnjë fis nuk iu nënshtrua tjetrit. Po kështu, luftërat midis fiseve Eus dhe Hazrexh kanë vazhduar më shumë se 100 vjet dhe asnjë fis nuk i lëshoi pe fisit tjetër. Kështu e kishin zakon arabët para se të përhapej Islami: vazhdonin pandërprerë luftërat dhe nuk i nënshtroheshin armikut.

Erdhi Profeti (s.a.u.s.), por arabët e pritën atë në të njëjtën mënyrë. Ata e tërhoqën Profetin (s.a.u.s.) në sheshin e betejës, por ai i përballoi me një mënyrë tjetër të urtë, derisa u hapën zemrat e tyre para se të çliroheshin vendet e tyre. Po të bësh krahasim midis pasojave të luftërave të tij dhe rezultateve të tyre me pasojat dhe rezultatet e luftërave të kohës së Padijes (kohës paraislame), do të habitesh. Gjithsej myslimanët, idhujtarët, jehudinjtë dhe të krishterët që janë vrarë gjatë të gjitha luftërave dhe betejave që ka bërë Profeti (s.a.u.s.), nuk janë më shumë se 1000 vetë dhe e tërë koha e luftërave nuk është më shumë se tetë vjet. Mirëpo, ajo periudhë e shkurtër, me gjakderdhje kaq të paktë, nënshtroi afërsisht tërë Gadishullin Arabik dhe përhapi sigurinë e paqen deri në skajet më të largëta dhe më të thella të tij.

Por, o lexues i nderuar, a mendon ti se fitoret u arritën me forcën e shpatës?! E, sidomos tek ata njerëz që vetëmohoheshin për çështje të parëndësishme?! Ata sakrifikonin mijëra e mijëra njerëz pa e përfytyruar nënshtrimin e tyre. Jo. Nuk qe forca e shpatës ajo që e bëri këtë, por qenë Profetësia, mëshira, mesazhi i Allahut (Kurani) dhe urtësia (Syneti); qenë ftesa dhe mrekullia (që bëri Allahu); qenë mirësia e Allahut dhe begatia e Tij.

E dyta: Ndryshimi i madh mes luftërave që bëri Profeti Muhamed (s.a.u.s.) dhe luftërave të dy shekujve të fundit

Profeti Muhamed (s.a.u.s.) solli ndryshimin më të madh në historinë e njerëzimit. Shumë popuj e vende u bënë pjesë e ymetit madhështor islam. Në saje të mësimeve të mrekullueshme të fesë islame u bashkuan shumë popuj, jetuan në paqe për shekuj me radhë, shkëmbyen dhe përcollën përvojën dhe njohuritë, zhvilluan marrëdhëniet në shumë aspekte. U rrëzuan disa perandori mizore. Lindi civilizimi islam në zemër të botës. U ngritën disa shtete shumëshekullore që qeverisën botën islame ose një pjesë të saj. Një ndikim të madh për përhapjen e Islamit kanë të mirat, vlerat dhe meritat e tij për njerëzimin. Islami është feja që përhapet më shumë sot në botë. Në rrugën e përpjekjes për të ngritur fjalën e Allahut të Lartësuar, për të bërë këtë përmirësim të madh për njerëzimin, për t’u mbrojtur nga armiqtë, për të fituar të drejtat, për t’u vendosur drejtësia, për të mos pasur pengesë që njerëzit të njihen me fenë e Allahut e për t’iu hapur mundësia që ta pranojnë atë me vullnet të lirë, qe detyrë që të zhvilloheshin ato luftëra, të cilat patën një numër shumë të vogël të vrarësh. Siç u përmend më lart, në luftërat që bëri Profeti Muhamed (s.a.u.s.) nuk janë vrarë më shumë se një mijë vetë.

Kohët e fundit flitet shumë për kodin e luftës, krimet e luftës, paqen dhe shuarjen e konflikteve, porse vetëm në dy shekujt e fundit, më saktë nga Revolucioni Francez (rreth vitit 1789) e më pas, janë vrarë mbi njëqind milionë njerëz në luftërat e zhvilluara nga regjime të bazuara në ateizëm, afetarizëm, materializëm, darvinizëm, racizëm etj. Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore janë vrarë përafërsisht njëqind milionë njerëz. Regjimet raciste në dy shekujt e fundit kanë vrarë e zhdukur rreth 50 milionë njerëz. Viktimat e komunizmit në botë janë rreth njëqind milionë njerëz. Sipas një studiuesi amerikan, gjatë viteve 1850–1950 janë vrarë në Ballkan, në Evropën Lindore dhe në vendet e ish-republikave sovjetike pesë milionë myslimanë dhe janë dëbuar nga vendet e tyre pesë milionë të tjerë. Atëherë, si mund të pretendojnë këta njerëz se zhvillojnë luftëra me kod më njerëzor se ato që kanë zhvilluar myslimanët?!

E treta: Kodi i luftës sipas Islamit

Sipas një transmetimi, rregullat e luftës përmblidhen kështu:

“Mos jini të pabesë, mos merrni vjedhurazi nga plaçka e luftës e mos vrisni fëmijë e gra! Mos e vrisni atë që është plak, as atë që është i izoluar në ndonjë manastir (murgjit)! Mos i prisni pemët dhe mos shembni asnjë ndërtesë.”

Këto norma janë kodi që kanë respektuar myslimanët në luftërat dhe çlirimet e tyre që nga koha e Profetit Muhamed (s.a.u.s.) e më pas. Ato tregojnë qartë qëllimet madhore që kanë pasur myslimanët, si: ngritja e fjalës së Allahut, vendosja e drejtësisë, mbrojtja e të drejtave, mënjanimi i çdo gjëje që pengon njerëzit të njihen me Islamin dhe ta pranojnë atë me vullnetin e tyre të lirë. Në luftërat që zhvillojnë mjaft shtete sot nuk respektohen këto norma, si: mosvrasja e grave dhe e fëmijëve, mosvrasja e atyre që nuk marrin pjesë në fushën e betejës apo e atyre që nuk janë të aftë për luftë, mosvrasja e fetarëve që rrinë në objektet e kultit të tyre dhe nuk kanë të bëjnë me çështjet e luftës, si dhe mosprishja e infrastrukturës që është në shërbim të njerëzve.

E katërta: Citatet mbi luftën në librat e shenjtë

Ka citate në Bibël që flasin për luftën. Edhe në Kuranin e Madhërishëm ka ajete që flasin për luftën. Por nuk është këtu vendi për të bërë krahasim e për të sqaruar më gjerë.

E pesta: Parimi i paqes dhe marrëveshjet në Islam

Sipas udhëzimit të Kuranit (El-Enfal, 61), myslimanët anojnë nga paqja me kundërshtarët dhe jo nga lufta. Myslimanët parapëlqejnë të vendosin paqe me kundërshtarët, ndërsa lufta është opsioni i fundit kur pala kundërshtare nuk pranon marrëdhëniet paqësore. Në parim, Profeti (s.a.u.s.) nuk ka luftuar me askënd pa i bërë thirrje paraprake për pranimin e Islamit. Në udhëzimet që Profeti (s.a.u.s.) u jepte komandantëve të ushtrive theksohet se: së pari, pala armike duhej të ftohej të pranonte Islamin; së dyti, nëse nuk pranonte Islamin, duhej të ftohej të bënte marrëveshje me myslimanët, me të cilën, kundrejt nënshtrimit ndaj shtetit islam dhe pagimit të xhizjes (një takse), këta jomyslimanë do të fitonin të drejtën e mbrojtjes së jetës, pasurisë dhe objekteve të kultit të tyre, si dhe të vetëqeverisjes; së treti, nëse nuk e pranonin gjendjen (zgjidhjen) e dytë, ushtria myslimane do të hynte në luftë me ta. (Shih: Sahih Muslim, nr: 1731).

Prandaj Profeti (s.a.u.s.) ka bërë edhe marrëveshje armëpushimi, paqeje, sigurie dhe mbrojtjeje. Këto marrëveshje dëshmojnë për ligjet tolerante të Islamit kundrejt jomyslimanëve në çështjet e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së jetës, pasurisë dhe të drejtave të tyre. Me një marrëveshje të tillë, jomyslimanët gëzonin mbrojtjen e shtetit islam jo vetëm nga rreziqet e brendshme, por edhe nga ato të jashtmet. Kjo marrëveshje u jepte mundësinë atyre të vetëqeveriseshin në territorin e tyre. Nuk është aspak e çuditshme atëherë kur shohim komunitetet e krishterëve edhe sot e kësaj dite në vende të ndryshme të botës islame, si: Egjipt, Palestinë, Siri, Liban, Irak, Turqi (Stamboll) dhe Shqipëri. Pasi kush dëshironte, pranonte Islamin me vullnetin e lirë — dhe s’ka dyshim që do të kishte privilegje — e kush nuk dëshironte, mund të vazhdonte në fenë e tij. Përkundër asaj që ngrejnë me të madhe shtrembëruesit e historisë, myslimanët nuk kanë dhunuar njeri që të deklarojë pranimin e Islamit.

Të ngjashme

Feja jonë e pastër dhe e bukur

Meritat e grave të Profetit për njerëzimin.