Politika e privatësisë u përditësua. IslamiShqip tani ofron analitikë të brendshme opsionale, që aktivizohet vetëm nëse e pranoni. Reklama dhe gjurmim nëpër faqe të tjera nuk ka dhe nuk do të ketë. Shihni çfarë ndryshoi.

Kundërpërgjigje

Përgjigje ndaj shpifjes se Profeti e pretendoi profetësinë për dëshira vetjake

Tetor 2026 · 4 min lexim

Në lidhje me shpifjen se Profeti Muhamed (s.a.u.s.) e pretendoi rrejshëm profetësinë për të plotësuar dëshirat e tij vetjake, mund të jepen përgjigjet e mëposhtme:

Së pari, ka me qindra shenja e argumente që tregojnë vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (s.a.u.s.) dhe që e hedhin poshtë këtë shpifje. Këto argumente janë shtjelluar hollësisht në librat mbi argumentet e profetësisë. Këtu nuk është vendi për t’i përmendur ato, por mjafton të tërhiqet vëmendja drejt tyre.

Së dyti, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) gëzonte një moral madhështor dhe nuk kishte asnjë cen a mangësi në karakterin e tij. Me gjithë përpjekjet e mëdha të kundërshtarëve për ta rrëzuar profetësinë e tij, ata nuk arritën të gjenin qoftë edhe një të metë të vetme tek ai. Nëse do ta kishte trilluar thirrjen profetike për plotësimin e dëshirave vetjake, patjetër që do të kishte shtrembërime në karakter dhe mangësi në sjellje. Profeti i vërtetë është njeriu më besnik dhe më i virtytshëm, kurse profeti i rremë është njeriu më gënjeshtar e më i ulët. Nuk është e mundur që një njeri me virtyte kaq të larta të trillojë profetësinë për qëllime të ulëta, sikurse nuk është e mundur që njerëzit e mençur të mos e dallojnë profetin e vërtetë — që është njeriu me moralin më të mirë, nga profeti i rremë — që është njeriu me moralin më të keq. Prandaj, këtë shpifje e rrëzon vetë morali i përsosur i Profetit Muhamed (s.a.u.s.).

Së treti, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) bëri një jetesë të varfër dhe jetoi në kushte të vështira. Ai nuk ishte i dhënë pas kënaqësive të kësaj bote (ishte asket — zahid). Kalonin dy muaj radhazi dhe në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarr, sepse nuk kishin ushqim për të gatuar, por mbaheshin vetëm me hurma arabie dhe ujë. Ai ushqehej me bukë prej mielli elbi të pasitur, madje ndodhte që të mos gjente as hurma të cilësisë së ulët për të mbajtur veten. Vuante nga uria dhe vishej me rroba të thjeshta. Edhe shtëpinë e kishte shumë të thjeshtë; dyshemenë e saj e kishte me dhè dhe, për të fjetur, shtronte përtokë një hasër, fijet e së cilës linin gjurmë në trupin e tij. E gjithë kjo ndodhte ndërkohë që ai kishte mundësi të bënte jetën më luksoze të kohës së tij. Shokët e tij kishin dashuri të madhe për të, e nderonin shumë dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin pasuritë e tyre nëse do t’ua kërkonte; madje ata sakrifikuan edhe jetën në mbrojtje të tij, sikurse është përmendur në jetëshkrimin e tij. Megjithatë, ai zgjodhi të bënte një jetesë të thjeshtë dhe jo luksoze. Nëse do ta kishte trilluar thirrjen profetike për të plotësuar dëshirat vetjake, ai do të kishte përdorur pasuritë e njerëzve për të bërë jetën më luksoze të mundshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.

Së katërti, në një transmetim të saktë thuhet se Utbe ibn Rabia, njëri nga krerët e Mekës, në emër të kurejshëve, i propozoi Profetit (s.a.u.s.) të mblidhnin pasuri e ta bënin njeriun më të pasur, nëse me këtë thirrje kishte qëllim të pasurohej; po ashtu i propozoi të zgjidhte dhjetë gra sipas dëshirës ndër kurejshët e ta martonin me to, nëse thirrjen e bënte nga dëshira për gra. Mirëpo Profeti (s.a.u.s.) nuk i pranoi këto propozime. Nëse do ta kishte pretenduar rrejshëm profetësinë për pasuri apo për gra, atëherë përse nuk i pranoi këto oferta?

Së pesti, Profeti (s.a.u.s.) u martua në moshën 25-vjeçare me Hadixhen (r.a.), një grua të ve në moshën 40-vjeçare. Ai qëndroi në kurorë vetëm me këtë bashkëshorte derisa ajo ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare, ndërkohë që Profeti (s.a.u.s.) kishte mbushur 50 vjeç. Kështu, pjesën kulmore të jetës, nga mosha 25 deri në 50 vjeç, Profeti (s.a.u.s.) e kaloi me një bashkëshorte të vetme. Nëse profetësinë do ta kishte trilluar nga dëshira për gra, përse nuk u martua me një vajzë të virgjër në kulmin e rinisë dhe fuqisë së tij? Përse nuk mori një grua tjetër krahas saj gjatë moshës kur dëshirat e njeriut janë më të forta?

Së gjashti, të gjitha bashkëshortet (r.a.) me të cilat u martua Profeti (s.a.u.s.) kishin qenë të martuara më parë (të veja ose të divorcuara), përveç Aishes (r.a.). Në disa hadithe përmendet se ai i ka nxitur myslimanët të martohen me virgjëresha, që do të thotë se ai e dinte mirë se martesa me to është më e pëlqyer. Nëse do ta kishte pretenduar rrejshëm profetësinë për të plotësuar dëshirat e tij, ai do të kishte zgjedhur sa të dëshironte nga vajzat e virgjëra të shokëve të tij. Por përse nuk e bëri këtë gjë?

Këto janë disa nga faktet që hedhin poshtë dyshimet e atyre që nuk e pranojnë profetësinë e Muhamedit (s.a.u.s.).

Shkroi: Hoxhë Ismail Bardhoshi